Havzi Nela

Poeti kryengritës, nga Kollovozi i Kukësit, Havzi Nela (1934 - 1988), ishte njëri nga ata që s`u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij(1945-1990) Këtë të keqe ai e kishte vërejtur që herët. I lindur në Kollovoz të Kukësit, në këtë fshat të humbur të Shqipërisë së "Veriut", atje afër "qytetit verior" të Kukësit, Havzi Nela, poeti i ardhshëm, që herët u ballafaqua me vuajtjet dhe padrejtësitë, të cilat u mundua t'i sfidonte në forma të ndryshme. Pasi që kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të "papëlqyera" për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Pasioni i të shkruarit poezi nuk shuhet te djaloshi, i cili vazhdon të shkruajë vazhdimisht në formën e tij, pasion ky që përswri bëhet shkaktar i përjashtimit të tij nga Universiteti, ku kishte filluar të ndiqte studimet e larta. Në këtë kohë qi punon mësues në Has dhe Lumë, por njëkohësisht vazhdon studimet me korespondencë.


Pasionit të të shkruarit poezi i pagoi "haraçin"


Të shkruarit poezi te Havzi Nela ishte bërë tani një pasion i pashuar, ndonëse për këtë vazhdimisht ai po paguante një "haraç" të madh. Është fundi i viteve gjashtëdhjetë, kur në Shqipëri po bëheshin "reforma" të mëdha, të cilat populli me dhimbje po i përjetonte. Është koha kur jo rrallë njerëzit nuk pajtoheshin me ato që po ndodhnin. Kolektivizimi i përgjithshëm i vendit, mbyllja e institucioneve fetare, ndërrimi i veshjes dhe luhatja nga traditat vendore dhe emitimi i një ideologjie të huaj dhe shkatërruese për vendin dhe kombin mbarë, janë ato me të cilat nuk pajtohet dot mësuesi dhe poeti Havzi Nela. Në shenjë mospajtimi me atë që po ndodhte me vendin e tij, ku diktatura komuniste, si një hijenë e përshfaqur vdekjeje po gllabëronte shpirtin e tij. Me zemër dhe shpirt të vrarë, më 27 prill të vitit 1967, ai vendos të braktisë vendin. Po ku të shkojë? Vendos të kalojë kufirin dhe "zbret" në Kosovën e shkallmuar nga një diktaturë tjetër, madje edhe më shfarosëse. Poeti po e braktiste atdheun me zemër të plagosur, të cilën brengë e shpreh përmes dy vargjeve të shkruara, të cilat i lë peng pranë piramidës kufitare.


Mbytja me vetmi vrasëse dhe varja trishtuese në mes të qytetit


Por, ikja nga atdheu dhe kalimi ilegalisht në Kosovë, qe një tjetër fatalizëm, një tjetër mallkim për poetin dhe mësuesin Havzi Nela, sepse atë e kthejnë sërish në atdhe, ku tani e pritnin pesëmbëdhjetë vite në burgun e Spaçit, të njohur për temerret e tij, por edhe në burgjet dhe kampet e tjera të asaj kohe, ku ridënohet për shkak të qëndrimit të "pandreqshëm" të tij. Por, edhe dalja nga burgu, më 1986 dhe internimi dhjetëmuajsh në malet e Arrnit, nuk sollën ndonjë kënaqësi për poetin dhe mësuesin e papërmirësuar për pushtetin komunist që po jepte grahmën e fundit, sepse aty ai mbytet në një vetmi vrasëse. Pa kaluar as dy vjet, vjen një çast që trishtoi zemrat dhe shpirtrat e atyre që e duan jetën. Vjen një çast që trandi shpresat se mund të ndodhte diçka e rëndësishme në shtetin e lodhur e të nemitur nga diktatura pesëdhjetëvjeçare komuniste. Është koha kur duke mos u ngopur me të gjitha ato vuajtje, me të gjitha ato tortura ndaj tij, pushteti jep urdhër për të varur poetin. Është ky një urdhër makabër, ashtu siç ishte vetë sistemi dhe njerëzit që e udhëhiqin atë. Dhe varja ndodhte, jo më larg se në vitin 1988, atje në qendër të "qytetit verior" të Kukësit. Vetëm dy vjet para se të binte regjimi i egër komunist. Ishte një akturdhër për varje, për të trishtuar të vërtetën që kishte marrë udhën e daljes në dritë pas gjithë asaj errësire të tmerrshme që kishte gllabëruar e trishtuar vendin për pesëdhjetë vite me radhë. Atje, në qendër të qytetit verior të Kukësit, po varej poeti, simboli i fjalës së lirë dhe i dashurisë së pashuar, luftëtar për një liri të ëndërruar. Dhe " ai, më sa duket, pasi kishte humbur çdo shpresë se do të mund të jetonte, po ndërronte jetë, duke përswritur vetëmëvete katër vargje që po i fisnikëronin për herë të fundit shpirtin e tij të lodhur, që po sosej nga çasti në çast", do të shkruajë studiuesi letrar, kuksiani Petrit Palushi, duke cituar katër vargjet e poetit, në të cilat shpërfaqet parandjenja e një akti të tillë makabër, por jo të vetëm në historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri:


Kur të pyesni :"Ku e ka vorrin?"

Kur t`kërkoni me e gjetë,

Thoni:"Ai e urreu mizorin"

Thoni:"Dheu s`ka me e tretë".


Dhe është ky një mesazh për një vdekje të parandier nga poeti që po përjetonte diktaturën dhe të këqijat e saj, të cilat ia shkaktonin njerëzit që i shërbenin me aq përkushtim kësaj katrahure kombëtare: Poeti e kishte ndier një akt të tillë, sepse nuk priste ndonjë të mirë pas të gjitha atyre vuajtjeve të shkaktuara me dekada të tëra mbi të, mbi atë shpirt që nuk bindej dot të thyhej. Dhe është pikërisht kjo pathyeshmëri që atij i shkakton vdekjen e dhimbshme, aspak të natyrshme, ashtu me varje në mes të qytetit, për të trishtuar dhe frikur shpirtrat e tjerë, m'u në kapërcyell të shekullit njëzet. Poeti qëndron i varur atje në mes të qytetit, ndërsa njerëzit e shikojnë dhe nuk guxojnë ta thonë asnjë fjalë, por ashtu në heshtje shprehin pikëllimin dhe habinë e vogël se si kishte ngjarë. Poeti, ashtu i varur, valëvitej në shtyllën e vdekjes, por në atë kalvar vdekjeje qëndronte pathyeshmëria deri në amshim, përballë qyqarllëkut të pushtetarëve dhe "komisarëve" të errësirës mesjetare që ua kishte pushtuar shpirtërat.


Poezia që buronte thellë nga shpirti i sfilitur i poetit të persekutuar


"Të gjitha këto që i shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përswritur me vetëveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mund me i ruejt në kujesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave". Janë këto fjalët e poetit Havzi Nela, që të tregojnë më së miri kushtet dhe rrethanant e krijimit të poezisë së tij, e cila buronte thellë nga shpirti i sfilitur i tij. Është forma dhe metoda e të shkruarit poezi burgu, nëpër të cilat përplaset frymëzimi i poetit Nela, që ndrydhej e trishtohej në përplasje kohe. Me vite të tëra vazhdoi ky ankth, kjo metodë e të shkruarit. Laboratori poetik i Havzi Nelës ishte qelia dhe errësira e saj që ndriçohej nga farfuritjet e vargjeve që ndrydheshin e shtrydheshin në mendjen e tij. Ishte vetmia dhe jorgani që mbulonte kokën e poetit kur përswriste ato për të mos i harruar. Kjo ishte një metodë e imponuar nga kushtet e një burgu të rëndë, të paparamenduar nga mendja e njeriut. Është një metodë dhe formë krijimi, për të cilën duhet folur e shkruar më gjatë. Kështu krijuan edhe poetë të tjerë të Shqipërisë së asaj kohe si Visar Zhiti, Jorgo Blaci etj., të cilët provuan burgjet dhe "fajtor" për këtë ishte pikërisht poezia që ata shkruanin dhe letërsia që kultivonin, në të cilën rrugë ishin nisur dhe s`ktheheshin dot prej saj.

"Në këto ditë që mora guximin t`hedhja në letër, sigurisht që jam nxitue dhe për ma tepër duke hedhë sytë sa majtas - djathtas se mos kam tërhequr vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë". Është edhe një tjetër anakronizëm. Poeti shkruan nxitueshem dhe frikohet nga "shokët" se mos tërhiqte vëmendjen e tyre. Athua pse e gjithë kjo frikë. Athua pse i gjithë ky nxitim. Pse kaq shumë frikë e nxitim përnjëherësh nga vështrimi dhe "zbulimi" nga shokët. Poeti ngutej për diçka dhe kishte frikë se nuk do ta kryente punën e tij të nisur tash e njëzet vite, punë e nisur dhe e fshehur brenda vetëvetës në mendje, duke e përswritur për të mos harruar. E tani kishte frikë nga shokët që mos ta vërenin që ta dënonconin, sepse prapë mund të binte në burg. Vargjet e ruajtura në vetëvete për njëzet vite, burgjeve dhe qelive ai dëshiron t`i hedhë në letër, në fletore, që një ditë t`i qesë në dritë. I shkruan ashtu pa respektuar dot gjuhën letrare, sepse për një gjë të tillë nuk ka kohë poeti, sepse "u lodha së mbajtuni në mendje", do të thoshte ai në fletoren e tij të parë.


Trishtimi nga mungesa e lirisë


Në libërthin "Asnjë çast lumnije" të Havzi Nelës, të përgatitur e të redaktuar nga studiuesi Petrit Palushi, lexuesi ka para vetes vetëm një tufëz poezish, nga të gjitha ato që kishte shkruar e që i kishte ruajtur plot sakrificë në vetëvete. Janë gjithësej nëntëmbëdhjetë krijime që përbëjnë një libërth dhe një shtegëtim letrar të poetit Havzi Nela në tehun e jetës e të vdekjes, që luftojnë për ta mundur njëra-tjetrën. E tillë është edhe poezia "Kur të vdes", një poezi me një titull ndjellakeq, por real. Poeti këtu e ndien vdekjen "para kohe", ndonëse një gjë e tillë i rrinte pranë:


Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni:"Ndjesë pastë!"

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë ?


Është një poezi e tëra e mbështjellë me realitetin fiktiv që kishte shoqëruar poetin gjatë gjithë kohës. Një poezi që transmeton mesazhin poetik dhe jetësor të poetit që e deshi lirinë, që e deshi jetën, që deshi dritën dhe stinën më të bukur të jetës, por që kurrë s`i përjetoi vetë.


Thoni: Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy

Thoni: "Për njerëzinë këndoi,

E për vete mbajti zi".


Janë këto vargje dhe të tjerat që shprehin më së miri angazhimin njerëzor të poetit që dergjej burgjeve plot vetmi dhe torturë, të poetit që kishte frikë nga "shokët" kur hidhte në letër vargjet e ruajtura në mendje. Poetit që provoi prangat dhe errësirën e qelive, duke lëshuar kushtrimin për të mjerët, nga të cilët dronte se edhe varrin do të kishin frikë t`ia preknin e t`ia vinin ndonjë lule.

Havzi Nela, që vuante nga mungesa e lirisë jo vetëm krijuese, nuk trembej dot nga vdekja për këtë liri. Ai nuk kishte shpirt robi që të bindej për gjithçka. Nuk duronte fjalët poshtëruese, fjalët fyese, të cilat mund të binin më tepër se mallkim. Këtë qëndrim poeti e shpreh në mëse një poezi. Prandaj, këtë mesazh ka edhe poezia "O liri, o vdekje", apo edhe poezia "Ma mirë le t`i mbylli sytë", në të cilat mospajtimi me fyerjen, poshtërimin, janë qëndrime të prera të poetit që më parë pranonte të thonin njerëzia se vdiq, por shkoi me nder, se i rrëzuem (kupto:poshtëruar) përgjithmonë. Këto vargje poeti i sajon në burgun e Burrelit më 1977, në ato momente kur përballej me torturat dhe poshtërimin që i bënin gardianët dhe komesarët e diktaturës.

Kur lëxon poezitë e burgut të poetit Havzi Nela të kapë trishtimi, një trishtim që të tronditë. Aty do të përballesh me një realitet që kishte ndodhur, me një përjetim të drejtpërdrejtë. Ndryshe nga poezia e burgut e Visar Zhitit, e cila është një poezi që e ndien burgun dhe peshën e rëndë e të tmerrshme të tij, por që shprehshmëria e saj është ndryshe, pa urrrejtje, në poezinë e Havzi Nelës ka më tepër urrejtje, më tepër mosdurim, më tepër drejtpërdrejtshmëri dhe kacafytje me realitetin brutal të jetës:


Jo or jo, njëzet vjet burg nuk u mjaftuen,

S`u ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë,

Më ndoqën kamba-kambës, lakun m`a shtrënguen

Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr

(Nuse më dhanë robninë)


Kjo poezi shpreh brengën e poetit për atë që ekzekutorët i dhuruan atij, duke e lënë fillikat vetëm, duke e sterilizuar dhe duke e lënë edhe pa fëmijë. Këto vargje poeti i shpalos në Arrën, ku pushteti e kishte dërguar për ta mbytur me vetmi, por që s`mund ta thyente dot:


M`hoqën përgjithmonë të shtrenjtën, lirinë,

M`i hoqën të gjitha, kot kam mbetur gjallë.

Shtëpinë m`a rrënuen, nuse më dhanë robninë,

Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.

(Nuse më dhanë robninë)


Ndonëse i mbytur vetmi dhe vuajtje të shumta shpirtërore e fizike, poeti, megjithatë jeton me të mirat, jeton me pathyeshmërinë e tij, e cila siç shihet i jep një trohë ngushëllim, sa për të mos thënë "një trohë dëshprim të përmbajtur". Liria tek ai ndihet vetëm atëherë kur e kujton vendlindjen, kur e kujton të kaluarën e lavdishme të vendlindjes. Duke i kënduar vendlindjes, në mes këngës dhe vajit dëshpërues, poeti mundohet të shprazë vrullin dhe flakën e ndezur të krenarisë që i ngjallë qëndresa dhe pathyeshmëria nëpër shekuj e vendlindjes dhe njerëzve të saj, tashmë të katandisur keq. Janë ato vende, ata emra të vendlindjes, si Kalaja e Dodës, Luma plakë, Gjallica dhe të gjithë ata shkrepa e male, ato lugina e gryka, ku nëpër kohë u zhvilluan beteja kundër pushtuesve në ato luftëra për identitet e integritet kombëtar e njerëzor, të cilat poetit në mes errësirës së qelisë, burgjeve të Spaçit, Rrëshenit, Burrelit, humbëtirave të Arrnit etj, i ngjallin një diçka të bukur, një diçka të dinjitetshme, siç është liria, për të cilat poeti përdor metaforat më të bukura, më të zgjedhura:


"Flamuj t`gjallë në lufta t`rrepta,

Hijerandë, simbol lirie !"


Janë këto malet dhe shkrepat e vendlindjes së poetit, të cilat të kujtojnë vargjet e Naim Frashërit që i thurte atje larg në mërgim me atë shpirtin e mërguar. Po atëhere ishte një tjetër kohë, kohë e pushtimit, ndërsa poeti i këndonte të gjitha atyre, duke hymnizuar malet e kodrat, çukat etj., por tani në kohën e Havzi Nelës, cila kohë ishte që ai të mallëngjehej aq shumë. Kjo ishte një anakronizëm i llojit të vet, që është shpjeguar sa herë. Poezia e poetit bëhet më e fuqishme, kur dihet se n`çrrethana u krijua ajo. Poeti bëhet një hymnizues dhe i përmallshëm për një diçka të kaluar që i shëmbëllen me të bukurën, me madhështoren, e cila u mbyt nga grotesku dhe nga e shëmtuara e kohës "moderne". E kohës që po mbyste edhe atdheun e poetit, ku bëhej lufta e klasave, vrasja e njerëzve dhe e fjalës së lirë. Prangat e diktaturës shtërngoheshin e shtërngoheshin deri në këputje jete. Ndahej vëllau me vëlla dhe gjaku shprishej çdo ditë e vendi ishte dhe "po mbyllej me spiunë" që të përcjellin si hije të prapta. Dhe këtë poeti e shihte përditë, sepse edhe përballej atje në errësirën e qelisë. Andaj, në një moment ligësie e siç duket edhe humbje shprese për diçka të mirë që mund të ndodhte, poeti bën thirrje për vajtim:


Eni gjithë s`bashku, le të shpallim zinë

Me gjamë e me kuje t`a vajtojmë Shqipërinë

(Eni të vajtojmë Shqipërinë)


Ky është kulmi i dëshprimit të poetit të dëshpëruar e të mbetur pa shpresë. Poezia e Havzi Nelës "Eni të vajtojmë Shqipërinë" të kujton poemthin e Pashko Vasës "O moj Shqypni" , të shkruar këtu e njëqind vjet më parë. Këtu duhet të bëjmë një paralele, për të shikuar Shqipërinë e atëhershme me të kohës së Havzi Nelës. Cili ishte ndryshimi i katandijes së Shqipërisë së atëhershme me të tanishmen dhe a kishte të drejtë poeti Nela ta bënte një ftesë të tillë për vajtim? Natyrisht që arsyet ishin të shumta që ai të bënte këtë ftesë: Nuk është vetëm ana personale e vujatjes dhe e persekutimit të poetit nga pushteti dikatorial, i cili vendit nuk i sillte asnjë të mirë, prandaj as poetit të syrgjynosur, por është edhe ana e përgjithshme që u pa më vonë me syrin e një realiteti krejt tjetër. Poezia ftesë për të vajtuar në Shqipërinë, e Havzi Nelës, është edhe një ftesë për të ngritur zërin dhe për të luftuar për dinjitetin e Shqipërisë "së rënë përdhe" e të thyer krahësh. Të Shqipërisë së përgjakur e të lidhur ndër pranga ashtu sikur vetë poeti. Kjo është një nga poezitë më të goditura, më të brumosura me atributet e një krijimi dinjitoz, pavarësisht nga klithmat dhe shprazjet e shumta të poetit mbi ata që i bënin këtë gjëmë Shqipërisë.

Por edhe në mes asaj errësire, në mes atyre klithmave e gjamës, poeti Havzi Nela në shpirtin e tij fanitte shpresën e fitores, kur dëgjonte për gjërat e madhërishme që ndodhnin. Është viti 1981. Ngjarjet në Kosovë atij i ngjallin asociacionin e fitores dhe të krenarisë, gati të humbur. Atë asociacionin e shikuar në vargjet për vendlindjen në të kaluarën e lavdishme të saj. Këtë e shpreh më së miri poezia "Nusja e flamurit", në të cilën poeti i këndon çikës kosovare që mbi tankun serb ngjitet sikur shqiponja duke valëvitur krahet pa asnjë frikë:


Lavdi çikës kosovare

Si një shqerrkë, si jë manare.

I del tankut, i thotë "Ndal!"

Rritet, ngrihet sa nji mal!


Poezia e Havzi Nelës pati fatin e vetë poetit. Një fat të ndrydhur, fatin e një poezie që ende vazhdon të "ruhet" duke pritur një kohë më të mirë. Këto pak poezi të mbledhura dhe të botuara nga studiuesi i përkushtuar, Petrit Palushi, janë një rast i mirë për të mësuar për një proces të zhvilluar brenda dramës jetësore të një njeriu që e deshi atdheun dhe lirinë e tij, një dramë jetësore që tregon fatin e keq të një kolektiviteti të tërë dhe përjetimet e tij brenda një periudhe të caktuar të quajtur diktaturë. Dalja në dritë, qoftë edhe në këtë formë dhe këtë sasi, të jep shpresë se rrugëtimi i nisur shumë kohë më parë i krijimeve të poetit Havzi Nela do të arrijë cakun. Vetëm kur të kemi para vetes tërë opusin e tij krijues, mund të flasim më shumë dhe të japim ndonjë vlerësim më të kompletuar për poezinë e kijuar nëpër vite të poetit fatkeq, Havzi Nela....



Havzi Nela, martir i vargjeve të lirisë1>
(01.08.2008)
Kaluan plot 20 vjet nga dita e 20 Gushtit 1988, kur qyteti i vogël i Kukësit u gdhi me një pamje të trishtuar.Në njërin nga sheshet kryesore,komunistët kishin varur në litar poetin disident Havzi Nela. Një autor i huaj ka shkruar se, “është me të vertetë fatkeqësi që njeriu të jetojë në një vend që është i pamëshirshëm ndaj njerzve të aftë dhe që dallojnë”. Poeti ishte një njeri që dallonte dhe kjo ishte arsyeja që regjimi komunist e kishte vendosur në grykën e pushkës. Si demokrat, patriot dhe atdhedashës, ishte i pari që ndjente dëshirën për të qenë i lire në një vend të lire. Por fatkeqësisht poeti jetoi në një kohë që ishte e vështirë të jetonin martirët si ai. Jetoi dhe vdiq si hero në kohën e diktaturës komuniste. Në atë ditë të nxehtë gushti u ndodha në Kukës, si sot 20 vjet më pare. Po shkoja në drejtim të axhencisë së autobusëve. Ecja ashtu i shkujdesur duke menduar se vështirë do të kishte vende në të vetmin autobus rrangallë që udhëtonte në drejtim të Krumës. Kur më del përpara syve një pamje makabër; një trekëmbësh dhe një njeri i varur në litar. Një parullë ku ishte shkruar me gërma kapitale “Havzi Nela, armik i partisë dhe i popullit”. Trupi i poetit lëkundej mbi trekëmbësh nga një erë e lehtë që zbriste nga lugina e Drinit. Kalimtarët e rrallë largoheshin me vrap të tmerruar. Ramiz Alia, me kriminelët e tijë komunist edhe në grahmat e fundit po kafshonin si egërsirë trupin e Atdheut. U afrova por nuk mund të mbaja lotët. Më dukej se edhe mali Gjallica ishte përkulur në atë shesh ogurzi përpara trupit të pajetë të Havzi Nelës. Dy pika gjaku i zbrisnin buzëve të holla. Disa policë, pis të zinj, lëvrinin si krimbat, të gufosur se diçka kishin bërë.
E kam njohur Havzi Nelën në Krumë në vitin 1962. Kishte ardhur si mësues. Në Krumë, në vendin tim të lindjes, familja jonë jetonte në gjendje internimi dhe ca më keq akoma. Me mua njerëzit e kishin të ndaluar të flisnin. Sipas komunistëve unë isha i biri i armikut të popullit. Kishim qenë të burgosur, të internuar, ishim kulakë dhe mua nuk më lejonin të vazhdoja shkollën. Lexoja shumë libra, ishte i vetmi ngushëllim dhe prehje e imja. Në qendër të fshatit, atëherë ka qenë një bibliotekë e vogël, afër një mulliri, ku përgjegjës ishte Imer Muja, një djalë i ri me shpirt antikomunisti, të cilin e kisha shumë mik. Një ditë ai më njohu me Havziun. Filluam të bisedojmë dhe të shkëmbenim libra me njeri tjetrin. Trajtonim tema të ndryshme dhe u bëmë miq. I vinte keq prej meje, për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhesha dhe më jepte kurajo se ditë të mira do të vinin për të gjithë shqiptarët. Shpesh më recitonte poezitë e tij, ku pasqyrohej jeta e vështirë dhe falsiteti i propagandës komuniste nëpërmjet figurave letrare, me një mjeshtëri të rrallë, duke iu shmangur spiunëve që përgjonin kudo. Për një kohë të shkurtër në Krumë, Havziu kishte bërë shumë miq. I sjellshëm me kolektivin e shkollës, i dashur me nxënësit e tij mospërfillës ndaj pushtetarëve komunistë, ishte mjaft superior karshi tyre dhe respektohej nga të gjithë shokët që e rrethonin. Por në të njejtën kohë dallonte edhe në mes të miqve të tij për thjeshtësinë e vlerat intelektuale. I pajisur me cilësi të jashtëzakonshme, shquhej për talentin e tijë politik. Komunistët shikonin tek Havziu një “njeri të rrezikshëm” dhe me të vertetë atë mundet ta ndalonte vetëm vdekja në rrugën që kishte nisur, te behej i pavdekshem në rrugën e vështirë të lirisë dhe demokracisë. Është i pari që ka shkruar poezi për Kartën e Helsinkit e të drejtave të njeriut, që në atë kohë njihej shumë pak nga shqiptarët. Më kujtohet se Havziu zbulonte kontradiktat në veprat e teoricienëve marksistë që aq shumë reklamoheshin në atë kohë. Engelsi - më thoshte Havziu - në librin e tij “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit”, shkruan se me lindjen e familjes,pas komunitetit primitiv, lindi prona private. Prona private është e lidhur me familjen në atë mënyrë saqë pa prone private nuk mundet të ketë familje. Nga ana tjetër komunistët i kanë shpallur luftë pronës private, pra në të njëjtën kohë luftë edhe familjes. Duan të na zmbrapsin prapa në disa mijëra vjeçarë. Nuk ka pë t’u ndërtuar kurrë socializmi, as komunizmi. Teoria marksiste është një utopi”. Në vitin 1963 Havziu u largua nga Kruma. U ndamë me lot në sy duke i shtërnguar dorën njeri tjetrit. Më erdhi keq që nuk kisha patur mundësi që ta ftoja në shtëpinë time as për një kafe. Ishte e pamundur të vinte dikush për vizitë në shtëpinë tone. Më duket se e transferuan në fshatin e tij të lindjes në Kollovoz. Më vonë dëgjova se u dënua nga gjykata e Kukësit, pas arratisjes në Jugosllavi në vitin 1967. Qendrimi i tij burrëror përpara atij gjyqi famëkeq, bëri jehonë dhe u end gojë më gojë, në rrethet e Kukësit, Hasit, Tropojës dhe më gjerë. Në vijën e kufirit kur po kalonte për në Jugosllavi së bashku me nusen e tij të re, Lavdijen, kishte lënë një letër të shkruar me fjalët lapidare: “Shqipëri e dashur, po të lë me zemër të plasur”. Këtë letër pasi e kishin gjetur rojet e kufirit, kriminelët komunistë, e kishin arkivuar në dosjen hetimore dhe po e përdornin si armë të fuqishme kundër poetit. Në fjalën e tijë përpara gjyqit ai do të deklaronte se ishte antikomunist dhe kundërshtar i vendosur i diktaturës. Prokurori do ta akuzonte si bashkëpunëtor të UDB, por Havziu me guximin që tejkalonte kufinjtë e qëndresës i përgjigjet se “kjo është një gënjeshtër. Ju jeni bashkëpunëtorët e UDB-së jugosllave. Komunistët serbë më dorëzuan tek ju, se ju jeni bashkëpunëtorët e tyre”, do të deklaronte poeti në atë gjyq që e denoi 25 vjet burg. Sot pas 20 vjetëve, fjalët e poetit antikomunist bëjnë apel se dosjet duhen hapur. Këtu vertetohet katërcipërisht veprimtaria kriminale e ish-Sigurimit, e bashkëpunimit me UDB-në jugosllave në krime kundër popullit si në rastin e Havzi Nelës. Vitet kaluan. Poeti përshkoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgun komunist. Ish-të burgosurit politikë në të katër anët e Shqipërisë, ata që kanë ndarë në mes tyre kafshatën e bukës dhe vuajtjen, e kujtojnë me respekt djaloshin e vendosur në idealin e lirisë dhe të demokracisë. Ai u vra nga bisha komuniste në pragun e lirisë me 10 Gusht 1988, pikërisht atëherë kur ëndrra e poetit po bëhej realitet, kur akujt e diktaturës kishin filluar të shkrinin në të gjitha vendet e lindjes. Këtu në Shqipëri, kasta kriminale enveriste, “bijt’ e Stalinit”, me Ramiz Alinë në krye, bënin si gomari në ëndërr dhe nuk donin të pranonin shembjen e komunizmit. Krimineli Fehmi Abdiu, që sot bën “drejtësinë” në gjykatën e lartë dhe i dekoruar me medaljen “Naim Frashëri të klasit të pare”, nga Presidenti i Republikës, ka deklaruar se “dënimin me vdekje të Havzi Nelës e ka dhënë me ndërgjegje të plotë”. Po, xhelati komunist e vrau poetin me ndërgjegje komuniste. Me ndërgjegje vret ujku, gjarpëri, kanibali, me ndërgjegjen e qenies që i takon. Sigurisht urdhri për të vrarë poetin ishte i Ramiz Alisë,por ai që vret është njëlloj kriminel si ai që jep urdhërin për të vrarë. Ndërkohë një tjetër firmëtare e atijë vendimit të kobshëm është edhe gjyqtarja e atëhershme Fatmira Laskaj, deri para pak ditësh Kryetare e Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurive, si për çudi edhe kjo e dekoruar këto ditë nga Presidenti “për merita të veçanta”. Po a vritet poeti o njerëz, a vriten vargjet e lirisë? A mundet të ndalohej Dielli që po lindëte në gjithë Europën? Ja këta ishin ata, xhelatët komunistë mediokër, që nuk besonin tek zoti dhe as demokracia. Paradoksi i realitetit të sotëm në Shqipëri është se kriminelët e djeshëm, bashkëpunëtorët më të zellshëm të ish-Sigurimit janë konvertuar. Kameleonët kanë ndryshuar ngjyrën. Armiqtë e djeshëm të lirisë marrin dekorata nga Presidenti i Republikës. Mesazhet e Amerikës dhe Europës “për dënimin e krimeve të komunizmit” po injorohen në mënyrë sistematike duke rrezikuar seriozisht në rrugën e vështirë të demokracisë. A thua të jetë mungesë informacioni për Presidentin të marrin dekorata; Skënder Breca, prokurori që dërgoi përpara pushkatimit në vitin 1979, Xhelal Koprenckën, Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, për “fajin” e vetëm se kanë patur guximin t’i shkruajnë letër diktatorit Hoxha? Po për Fatmira Laskajn e dinte Presidenti jonë i nderuar se kishte dënuar me varje në litar Havzi Nelën? Rastësi është vallë dekorimi i Njazi Jahos, Xhevat Hanës e co, ata që dënuan në mënyrën më barbare njerzit që aspironin për demokraci? Po Fehmi Abdiu që nuk tundet nga karrikja në Gjykatën e Lartë “nga reforma në drejtësi”. Po Diana Çuli, deputetja me “zërin si të qyqes” në Parlamentin shqiptar, bashkëpunëtorja që dërgoi përpara pushkatimit poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, tani na jep ne shqiptarëve “të urtë” leksione për demokracinë. Si këta kameleonë ka me mijëra që kanë hyrë në politikën shqiptare dhe po i bëjnë gjëmën demokracisë. Prandaj politika dhe sidomos e majta ish-komuniste e frikësuar dhe e terrorizuar nga “hapja e dosjeve”, ia dolën përsëri të injorojnë dhe të sabotojnë rezolutat e KE dhe rekomandimet e Amerikës dhe Europës, dhe hapjen e dosjeve ta fusin edhe njëherë tjetër në “kalendat greke”. Dhe kriminelët e djeshëm na thonë se ata “paskan zbatuar ligjet e kohës”. Por ne ish-të përndjekurit politikë u themi këtyre “konstitucionalistëve të pazëvendësueshëm të shkollës staliniste”, se diktatura ndryshon nga demokracia pikërisht në faktin se diktaturat kanë ligje të shkruara që nuk zbatohen, por zbatohen urdhrat. Jo rastësisht Aranit Çela kur dënonte njerëzit nxirrte mbi tavolinë “veprat e diktatorit”. Ndërkohë demokracia funksionon në zbatimin absolut të ligjit.
Sot në Shqipëri demokracia është seriozisht e rrezikuar nga kriminelët e diktaturës që dje u kanë vënë litarin në grykë martirve të lirisë dhe sot japin leksione për demokracinë. Poeti Petrit Palushi,i cili ka përgatitur për botim poezitë e Havzi Nelës,në parathënjën e librit “Pa një ditë lumnije”, botuar në vitin 1996 shkruan se: “emisarët komunistë nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për atë që kryen me mizori mesjetare. Janë monstra të tilla që kurrsesi nuk mundet t’i zërë gjaku”. Ndërkohë Kadareja shkruan për këto monstra se“janë nga raca që flenë me ndërgjegje të përgjakur”. Si bleta që mbledh nektarin e vyer në korijet me lule shumëngjyrëshe shpateve të malit të Gjallicës, Petrit Palushi ka mbledhur poezitë e Havzi Nelës, të shpërndara në fletore dhe në copa letrash të zverdhura nga koha. Në poezinë “Më mire me mbyllë sytë”, nga burgu famëkeq i Burrelit në vitin 1977, Havzi Nela shkruan në kulmin e dëshprimit: “Më mire me mbyllë sytë/Më mire zemra t’më pushojë/Më mire mos me pa më dritë/Kur harbuti t’më mundojë. Poeti në birucën e ftoftë dhe me lagështi të burgut e kujton Nënën e tij me poezinë: “Po o Nanë, po”. “Po, o Nanë po, përsëri në emër të ligjit jam arrestue\E duert m’i kthyen prapa policët e zinj\Në hekur me tutjus m’i kan ngujue\.Por poeti e gjen shpëtimin në kurajon dhe në luftën kundër diktaturës:-Deri kurë durim,deri kurë ma shpresë\Jo,jo, këto fjalë mos m’i thoni,këto fjalë nuk i due\Me durim dhe shpresë nuk dua të vdes\Se jeta dhe vdekja duhën meritue\. Poeti si njeri me zemër të madhe nga qelia skëterrë e burgut,me mendjën dhe ëndrrën e tij fluturon si zog i lire dhe i këndon me mallë vendlindjes, i këndon lirisë; i këndon dashurisë që e kishte lënë të mjerë atje në Lumën e tij të dashur, gjen kohën dhe i këndon jetës që e deshi aq shumë. Poetit i qan zemra për Kosovën e robëruar në atë kohë. Në poezinë “Nusja e flamurit”, poeti shkruan: \Lavdi çikës kosovare\Si një shqerrë si një manare\I del tankut i thot ndal\Rritet,ngrihet si një mal\Për Kosovën Republikë\Lëshohem,ngjitem,nuk kam frikë\Jam shqiponjë me krahë e fletë\Edhe ngjitem deri tek retë\.
Politika shqiptare as nuk e ka vënë ujët në zjarr për të përkujtuar martirin e vargjeve të lirisë në 20 vjetorin e rënjës së tijë si hero. Instituti i Ish-të përndjekurve politikë, me shkresën nr.295 prot.dt.07.05.2003, i ka propozuar ish-Presidentit Moisiu, dekorimin e Havzi Nelës me titullin “Nderi i kombit”. Por propozimi ka rënë në vesh të shurdhër. Në vesh të shurdhër ka rënë edhe një propozim tjetër po nga ky institut drejtuar Presidentit aktual të Republikës. E gjithë jeta e Havzi Nelës është përpjekja titanike e një poeti, e një intelektuali të pashoq në historinë tone kombëtare, e një njeriu që luftoi gjithë jetën kundër komunizmit si fatkeqësi kombëtare, për një Shqipëri të lire dhe demokratike. Nga ana tjetër, varja në litar e poetit në pragun e lirisë nga kasta kriminale e Ramiz Alisë, përbën rastin e vetëm makabër në të gjithë Europën ish-komuniste. Historianët, intelektualët, institucionet shtetërore, Parlamenti i Shqipërisë, duhet të vlerësojnë veprën e këtij heroi. Jeta e tij plot vuajtje dhe sakrifica në emër të lirisë është një simfoni, një mesazh për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Luma që e lindi është krenare për birin e sajë. Populli shqiptarë duhet të bëjë atë që të ulin kokën me turp kriminelët komunistë që e vranë Havzi Nelën. Askush më tepër se ai nuk e meriton ngritjen e monumentit te tij në një shesh të kryeqytetit.

Nga Sejdi Peka

Doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim libri: "FJALA NË LITAR"


-- nga Zef Lleshi & Petrit PALUSHI

Shtëpia botuese "Onufri" nxori në qarkullim librin "Fjala në litar" (shkrime për Havzi Nelën).
Ky libër është një përmbledhje shkrimesh për martirin Havzi Nela, i cili u ndëshkua mizorisht me varje në Kukës, më 10 gusht 1988, dy vjet para se të përmbysej regjimi mesjetar komunist në Shqipëri. Në këtë libër janë përmbledhur shkrime të 43 autorëve:
Agim Morina, Agim Spahiu, Ahmet Selmani, Astrit Patozi, Bardhyl Londo, Besim Muhadri, Besnik Mustafaj, Bilbil Hereni, Fejzulla Gjabri, Granit Zela, Gjergj Leka, Gjovalin Kola, Halil Haxhosaj, Halit Shamata, Islam Dogjani, Kujtim Allaraj, Kujtim Morina, Lazër Stani, Maks Velo, Myftar Gjana, Nazif Dokle, Ndue Ukcama, Nermin Spahiu, Nimon Muçaj, Pal Doçi, Petrit Palushi, Prend Buzhala, Ragip Sylaj, Ramadan Musliu, Ramiz Gjini, Sabajeta Peposhi, Safet Sula, Shefqet Gjana, Shefqet Hoxha, Teodor Laço, Uran Kalakula, Vath Koreshi, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu, Yrjet Berisha, Zaide Noka, Zekeria Cana, Zyhdi Morava.
Në shkrimet e autorëve të sipërcituar portretizohet më së miri jeta e martirit të njohur Havzi Nela, refuzimi dhe reagimi i tij ndaj diktaturës komuniste, ndjeshmëria ndaj lirisë, jokonformizmi dhe njëkohësisht rebelimi ndaj një bote dhe kohe me mungesën totale të lirisë.
Në këtë libër janë përfshirë shkrime rreth figurës së Havzi Nelës të botuara kohë mbas kohe në shtypin shqiptar; veç kësaj, përfshihen edhe disa shkrime të përgatitura enkas për këtë botim.
Ky libër, përsëpari është një dëshmi, është një përkujtesë, është shenjë nderimi ndaj jetës dhe veprës së martirit Havzi Nela; njëkohshëm është edhe shenjë reflektimi mu në kohën ku ende ndihet mungesa e plotë e refleksionit politik, historik dhe kulturor mbi të shkuarën. Ky libër, veç të tjerash, përveçse është një përpjekje për të shmangur harresën, është gjithashtu sadopak edhe një trazim i ndërgjegjes. Libri është përgatitur për botim nga shkrimtari dhe studiuesi Petrit Palushi; me këtë rast po botojmë edhe parathënien e shkruar prej tij.



Libri i përkujtesës dhe reflektimit


-- nga Petrit PALUSHI

Poeti nobelist Pablo Neruda kur rrëfente për vdekjen e Frederiko Garsia Lorkës, ndërmjet të tjerave shënonte se, "Vrasja e Frederikos qe për mua ngjarja më e dhimbshme e gjithë kësaj lufte të gjatë dhe të tmerrshme. Spanja paskësh qenë gjithmonë një arenë gladiatorësh, një tokë e larë me gjak. Por vrasja e Frederikos e bëri atë edhe më të zezë, sterrë. Dhe, sa herë që e kujtoja këtë arenë vdekjeje, më ngjallej edhe kujtimi për luftën vdekjeprurëse, të vjetër disa shekuj, mes dritës dhe hijes". Vdekja tragjike e Lorkës kish ndodhur në vitin 1936.

Mbytja e të panënshtrueshmit Havzi Nela
Gjithsesi, historia vjen e gjallë, por me nota shumë të ashpra.
Më 10 gusht 1988, në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste, një "arenë vdekjeje", siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës. Pikërisht, mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të madh të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm tashmë si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, qe një prej akteve më cinike të pushtetarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët.
Për fat të keq, n'ato vite, bashkëjetesa me të keqen, një lloj konformizmi i çuditshëm, qe kthyer pothuajse në një përditshmëri, qe shndërruar në psikikë, në një bashkëjetesë patologjike dhe liria, qe kthyer thjesht në një iluzion.

Krimi ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm
Krimi ndaj Havzi Nelës, ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm lirik, mësuesit, poetit, veprimi i mizortë i diktaturës ndaj tij m'u në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të saj, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura mbi njeriun që kërkonte liri dhe integritet, ndërsa, në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më të egrit n'Evropë.
I njëjti prokuror që do të dënonte poetin Visar Zhiti
Ndërkaq, si për ironi, i njëjti prokuror që e dënoi atë më 1967, në dënimin e parë të tij, do dënonte edhe poetin Visar Zhiti më 1980. Visar Zhiti do të dënohej mu në atë ndërtesë të gjykatës ku Havzi Nela do të merrte dënimin e katërt dhe njëkohësisht më të mbramë në qershor të 1988-ës (pra, në qytetin e ndërtuar rishtaz për shkak të përmbytjes së atij qyteti që u bë zakon të quhej Kukësi i vjetër, qytet ku qe dënuar Havzi Nela për herë të parë në vitin 1967).
Mbasi qe dënuar për të parën herë me 15 vjet heqje lirie dhe për të dytën herë me 8 vjet, në dënimin e tij të tretë (internimi), në vendimin përkatës shënohej se internimi i fillonte me datën 26.9.1987 dhe i mbaronte me datën 26.9.1992. Kësisoj, pushtetaria komuniste ende e mendonte përjetësinë e vet, pra, e kish kthjelltuar mendjen të vazhdonte të ushtronte një mizori të përhershme, një lloj tiranie të tejmizortë në të gjitha stinët.

Mbytja e Havzi Nelës, dy vjet para se të shembej regjimi komunist
Por duhej të vinte dënimi i katërt, dënimi i mbramë dhe fatal për Havzi Nelën, një vit mbasi kish nisur odisejadën e internimit dhe ç'prej verës përvëluese të 1988-ës, ai do gjendej nën dhé, si për të shpëtuar gjithsaherë nga bota e mjegullt, e mbrapshtë dhe trazuese e të gjallëve, ndërsa, në tjetrën anë, në dhjetor të 1990-ës, lëvizja historike studentore shënoi fillimin e ndarjes së madhe me atë të kaluar të terrtë të mesjetës shtetërore, pothuajse më mizorja ndër regjimet e mbasluftës së Dytë Botërore në Evropë.
Është folur shpesh për Havzi Nelën se edhe për dy vjet dhe s'e mbërriti lirinë, por pakkush mund ta merrte me mend në atë gusht të përvëlimtë të 1988-ës, ose më saktë, në ditën e këputjes së frymës së tij, se liria kish qenë aq pranë. Aq pranë për të tjerët, por jo për të. Kur flitet kësisoj, duket se çdo fjalë për të tani sikur është një lloj shfajësimi ose plotësimi për humbjen e tij, në radhë të parë për humbjen fizike të parakohshme pas një jete të stërmundimshme, por njëkohësisht edhe për një humbje tjetër: ai s'arriti ta shihte lirinë, atë gjë për të cilën kish sakrifikuar së tepërmi.

Ekipi i krimit ndaj Havzi Nelës
Në anën tjetër, ndërkaq në këtë nëntor të vitit 2005, kur po përgatitet për botim ky libër, ekipi që realizoi shtatëmbëdhjetë vjet më parë krimin ndaj Havzi Nelës, ose, me fjalë të tjera, ekipi i krimit, ose ekipi entuziast i dënimit më të mbramë të tij, është pothuajse në të njëjtën lartësi detyre shtetërore si shtatëmbëdhjetë vite më parë, pavarësisht se është përmbysur regjimi i diktaturës. Afërmendsh, krejt natyrshëm të duket gjithashtu se në këtë Shqipëri të sotme, ka ndodhur prej kohësh përmbytja e moralit, që i mban njerëzit e këtij vendi ende të stresuar, sa ia vlen të besosh se ata ende ndihen fatkeqë në vendin e tyre.

Mungesa e pendesës
Për fat të keq, në rastin e Havzi Nelës, s'mund të flitet kurrsesi për pendesë ose, çështja mund të shtrohej pak si më ndryshe: përpjekja e jashtëzakonshme e atyre që projektuan dhe realizuan krimin ndaj tij për të shmangur me çdo kusht pendesën, si shenja më e parë dhe më e dallueshme për të fshehur krimin. Kjo gjë, pra mund të jetë e barazvlefshme me përpjekjen për të mbuluar përsëri krimin, si shenjë tjetër se ky lloj krimi kish ndodhur në tjetër planet dhe jo në një nga udhëkryqet e rrugëve të Kukësit, sikur ky krim të kish ndodhur në një kohë tjetër, ndoshta dhe para lashtësisë, por jo dy vite më parë se të rrëzohej diktatura dhe mbi shtatëmbëdhjetë vite më parë prej ditës së sotme kur po përgatitet për botim ky libër.
Kjo do të thotë kthjelltas se një përpjekje e nënzëshme për t'u justifikuar, e bën ende më absurde dhe cinike luftën e përhershme ndaj martirit Havzi Nela.
Kjo do të thotë gjithashtu se ekipi i krimit ndaj Havzi Nelës, thënë pak më ndryshe, ekipi i marrjes së frymës, duke mos shfaqur as shenjën më të vogël të pendesës, pa dyshim që fitoi mëvetësinë e plotë të një ekipi, që jo vetëm i kish kapërcyer edhe vetë ligjet më drastike të diktaturës, por edhe theu rekordin e mosvrasjes së ndërgjegjes dhe të mosreflektimit edhe në vitet e pasdiktaturës.

Havzi Nela nuk arriti të bëhej 55 vjeç.
Ai gjithashtu nuk pati mundësi t'i jepte kujt lamtumirën, as nuk i dha kush lamtumirë, në orën 2 të pasmesnatës të 10 gushtit 1988, por, edhe me mungesën e një lamtumire të dyanshme, për të nuk erdhi harresa; sakrifica atë vetëm sa e lartësoi, e vendosi aty ku mund të zënë vend vetëm martirët. Ai nuk mundi t'i shpëtonte mbytjes, por mundi t'i ikte humnerës mortore të harresës; me një qetësi dhe krenari gati-gati sublime, mundi të ikte nga libri i të vdekurve të gjithmonshëm
biligoa nuk është në linjë

-Nji vjershe i kushtohet NUSES KOSOVARE


NUSJA E FLAMURIT

Lavdi cikes kosovare
Si nje shqerre, si nji manare.
I del tankut; thote "ndal!"
Rriet, ngrihet sa nji mal!

Shih si jam si lulekuqe,
Lulekuqe buzeburbuqe,
Jam shqiponja me dy krene
Fluturova, mora dhene.

Per Kosoven Republike
Leshohem, ngjitem, nuk kam frike
Jam shqiponja me krah' e flete,
Leshohem, ngjitem gjer te rete.

Jam e buikur, drit' e nur,
kuq e zi, jam ba flamur,
Kam fustanin flete-flete
Jam shqiponje e vertete.

Nalt mbi tank shqiponja ngjitet
Hapi krahet, po valevitet
Per Kosoven Republike
Fluturon e nuk di frike.

Hapi flatat, n'ajer u leshue
Bash si zane u mrekullue!
Si shqiponja me dy krene
Fluturoi e mori dhene!

Manushaqe, lulekuqe,
Nusja jone, buzeburbuqe,
Maje tankut me flamur,
Ngjitesh mos me vekun kurre!


*keto vargje jane thure kur autori ka qene ne birucat e
Spacit... kjo tregon dashunin e autorit per gjymsen e trojeve tona,
jashte kufinit artificial.
Mithat Gashi



Vrasja entusiazte e Havzi Nelës


Shkrimtari Günter Grass në vitin 2006 rrëfeu se kur kishte qene i ri, kishte veshur uniformën naziste. Rrëfimi i nobelistit gjerman qe tronditës, qe një prishje e heshtjes që rëndonte mbi shpirtin e vet prej sa e sa dekadash: 'Nuk e kam gjetur kurrë forcën për ta thënë, por është diçka që duhej treguar '



Nga Petrit Palushi

11 Gusht 2008 - Në 20 vjetorin e ekzekutimit të poetit Havzi Nela – Vazhdojnë të dekorohen ish-vrasësit e martirëve të lirisë dhe një lloj shqetësimi ndihet më shumë për ish-diktatorin Hoxha sesa për viktimat e tij, mu për atë, për të cilin Havzi Nela, qysh në vitin 1983, në burgun e Qafë-Barit shënonte: “Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha”.

Shkrimtari Günter Grass në vitin 2006 rrëfeu se kur kishte qene i ri kishte veshur uniformën naziste. Rrëfimi i nobelistit gjerman qe tronditës, qe një prishje e heshtjes që rëndonte mbi shpirtin e vet qysh prej sa e sa dekadash: “Nuk e kam gjetur kurrë forcën për ta thënë, por është diçka që duhej treguar. Tashmë nderojmë aq shumë heronj të rezistencës gjermane sa nuk merret vesh si mbërriti në pushtet Hitleri. Në një kohë kur nazizmi u brohorit me mbështetje e entusiazëm”.

Pyetjes “Keni ndjenjë faji për këtë?”, ai iu përgjigj: “Në e ndjeva atëherë? Jo. Më vonë, ajo ndjenjë faji më ka rënduar në shpirt si një turp. Dhe është shoqëruar gjithnjë nga pyetja: hë pra, Günter, a nuk mund ta merrje me mend se ç’po ndodhte?”

Por një operacion i tipit “Günter Grass” nuk ndodhi asnjëherë në Shqipëri, as me rastin “Havzi Nela”.

Po të shohësh me vëmendje dosjen për Havzi Nelën (procesi hetimor, gjyqësor, kallëzime të dosjeistëve, etj.), aty do të gjesh shënime të çuditshme dhe lehtas mund të bësh një riformatim të asaj që përshkruhet në romanin “Procesi” të F. Kafkës, veçse në procesin e Nelës, personazhet janë protagonistë të vërtetë. Në këtë rrafsh, procesi është i gjatë dhe e përmbledh atë krejtekrejt në gjysmën e dytë të jetës deri në marrjen e frymës, madje deri në futjen e trupit nën tokë.

Aty mund të gjesh jetëshkrimin vetëm të një pjese të jetës së njeriut, një përpjekje të pazakontë për të mbijetuar në kushtet e vargonjizimit të lirisë, siç mund të gjesh fytyrën e regjimit të kohës në të gjithë zezonën e vet. Edhe pse nën trysninë e hetuesve, gjykatësve dhe prokurorëve, fjalët e tij (më saktë gjithë kumti që ai përcjell), janë fjalët e një njeriu me integritet dhe pavarësi nga ajo shëmti nënshtruese rretherrotull, nga ai shformësim i vlerave njerëzore.

Në shënimet mbi procesin ndaj Havzi Nelës, mund të shohësh protagonistë të çuditshëm si gjykatës dhe prokurorë, të cilët me shpejtësi marramendëse plotësojnë letrat që t’i merrej jeta klientit të tyre të shumëpritur, siç mund të gjesh raportues dhe gjysmëraportues, raportues vullnetarë apo të urdhëruar, dosjeistë krenarë jo vetëm në çështjen “Havzi Nela”, të cilët pas ndryshimt të regjimit, as e morën mundimin të rrëfenin që ndjeheshin sadopak fajtorë, që ishin pjesëmarrës të një krimi të rëndë, dhe jo në Mesjetën e hershme, as në fillimin e shekullit të XX, por mu atëherë kur vetë diktatura qe në shkundullimat e fundme.

Shtatëmbëdhjetë muaj mbasi regjimi i stërvjetër stalinist në Shqipëri qe këputur për mesi, në vitin 1993 eshtrat e të ndjerit u nxorën nga gropa dhe u varrosën në katundin e lindjes, Kollovoz.

Kaloi 10-vjetori i mbytjes së tij, edhe 15-vjetori, siç po kalon edhe 20-vjetori, dhe asnjë grimë e shkundjes së ndërgjegjes, asnjë pikë turbullie. Pra, deri tashti, ekipi vrasës i tij, nuk ka shfaqur as shenjën më të vockël të pendesës. Një gjë e tillë s’ka të bëjë vetëm me kompleksin e mospërjetimit të fajit, por është simbol i një arrogance dhe humbje e plotë e ndjeshmërisë njerëzore sa të shtyn të besosh që mungesa e pendesës është forma më e dukshme e mosreflektimit, është përpjekje për të fshirë çdo gjurmë që kish të bënte me abuzimin në emër të pushtetit. Në kohën mbasdiktaturë qëllimi ishte që të krijohej përshtypja se këta ish-nomeklaturistë vetëm kishin bërë detyrën.

Është i natyrshëm gabimi njerëzor, por krejt ndryshe kur shkaktohet nga ligësia, aq më tepër nga ligësia në emër të pushtetit. Ndërsa pendimi ka të bëjë me diçka hyjnore, është hyjnor në vetvete (vetë fjala pendesë është një fjalë jashtëzakonisht hyjnore), ekziston si shtyllë e moralit, si ndjenjë lehtësuese për jetën në vijueshmëri, si lirim prej demonëve të së keqes.

Në vitin 2002, ish-kreu i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Fehmi Abdiu), që shqyrtoi çështjen “Havzi Nela”, këndellej kur rrëfehej në shtyp se “Kam gjurmë dhe gabime, por s’kam asgjë që të ma brejë ndërgjegjen” (G. Shqiptare, 10 maj 2002, f.2), thuajse njëlloj si Sh. Peçi (urdhëruesi i masakrës në Buzëmadhe në shtator 1944), kur në vitin 1993, deklaronte gjithë mburrje: “Edhe sot, u thom atë që kam thënë dje: Vrava, se më vranë!… Po u, kurrë nuk jam bërë pishman dhe nuk jam futur vrimave na frika. Pas çlirimit, më vunë deputet në Lumë. Katër vjet me radhë”. (Ballkan, 7 korrik 2004, f.27 - Intervistë e vitit 1993, e ribotuar)

Do thënë se në përpjekjet për të shmangur nga jeta Havzi Nelën ka shumë entusiazëm të pashpjegueshëm, mu për faktin se protagonistët e krimit shfaqen me një ndjeshmëri të theksuar antiligjore dhe krejt të kthjellët në mizorinë e tyre. Fakti që nuk ulën kryet asnjëherë për atë që kryen, do me thënë se qenë të vetëdijshëm në atë që po kryenin.

Për fat të keq, asokohe, bashkëjetesa me të keqen u kthye në një përditshmëri, u shndërrua në psikikë, në një bashkëjetesë thuajse patologjike, dhe liria, qe kthyer thjesht në iluzion. Por çështja shihet në një plan tjetër, mu te kapërcimi edhe i vetë ligjeve drastike të kohës.

Në rastin e Havzi Nelës, ky kapërcim është shembulli më i qartë i një mizorie administrative, është shformësimi më i skajshëm i asaj që mund të quhet drejtësi, natyrisht brenda asaj ngrehine ku vetë komunizmi qe një padrejtësi e dukshme, një regjim kundër lirisë së shtetasve të këtij vendi.

Akti ndaj Havzi Nelës është nga më të pamoralshmit e drejtësisë së kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri, është modeli më i shëmtuar i një drejtësie të politizuar dhe në shërbim të një regjimi absurd, mesjetar, që i ndryu shtetasit në izolim të plotë sa shpesh e ndjenin veten fatkeqë dhe të përbuzur në vendin e tyre.

Faktet s’të lënë të lëvizësh dhe janë aq kryeforta, sa, ngado që të kthehesh, s’mund t’u shmangesh. Në harkun e shtatë ditëve ka përfunduar gjithë procesi hetimor ndaj Havzi Nelës.

Edhe uji i lumit më të rrëmbyeshëm, kur përplaset me shkëmbijtë, sikur ka njëfarë ndalese dhe merr energji për të ndjekur rrjedhën e vet, ndërsa hetuesi i çështjes së bashku me kryeprokurorin, nxitojnë dhe prapë nxitojnë të mbyllin dosjen brenda shtatë ditëve. Ndoshta është ndër rastet e rralla në botë e një procesi hetimor kaq të shpejtë, një padurim i pashpjegueshëm.

Çudia shtohet, kur kryegjyqtari formulon vendimin për vdekje dy ditë para se të zhvillohej gjyqi, ndërsa ditën kur do të zhvillohej seanca gjyqësore, kryegjyqtari e kishte të qartë (dhe të shënuar në letër njëkohësisht) vendimin që do të merrej ende pa u futur në sallën ku do të ndëshkohej poeti. Havzi Nela nuk kërkoi as më shumë dhe as më pak përveçse drejtësi brenda vorbullës së një shteti të padrejtë (“Unë i kërkoj Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të më japë drejtësinë që më takon”).

Ushtruesit e gjyqit politik edhe mbas ndërrimit të sistemit vijuan të sillen si triumfalistë dhe mburravecë me aktet e dikurshme.

Këta vrasës entusiaztë të Havzi Nelës, më tepër se aktivë në procesin ndëshkues ndaj tij, me një ofensivë thuajse patologjike, shumë shpejt do të shpërbleheshin për vdekjen e Nelës (shpërblim për vdekjen e një njeriu?), mu në fushën e tyre të drejtësisë.

Pas viteve ’90, ndodhi konvertimi i shpejtë në të ashtuquajturën drejtësi të jashtëpolitizuar, duke vijuar triumfalisht punën në sektorin e drejtësisë, disa prej tyre në avokatë (F. Abdiu, psh., u zgjodh parlamentar dhe pak më vonë edhe Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa F. Laskaj, në vitin 2003, për ironi të fatit dhe të fateve, merr postin e drejtueses së Inspektoratit të lartë të verifikimit dhe kontrollit të pasurive).

Kjo s’është gjë tjetër, veçse një dëshmi se Shqipëria sot vuan nga përmbytja e moralit, nga mosreflektimi i thellë dhe serioz i asaj që ndodhi nën diktaturë. Shpesh nevoja për katarsis është marrë në sipërfaqe. Ndoshta mungesa e një lëvizjeje të madhe shoqërore në këtë hulli, ka çuar në atë që shpesh të dekorohen edhe ish-vrasësit e martirëve të lirisë dhe mund të thuhet se kësodore shpesh më shumë ndihet një lloj shqetësimi për ish-diktatorin Hoxha sesa për viktimat e tij, mu për atë, për të cilin martiri Havzi Nela, qysh në vitin 1983, në burgun e Qafë-Barit shënonte: “Shtylla qendrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha”.

Havzi Nela jetoi vetëm 54 vjet

Është folur shpesh për të se edhe për dy vjet dhe s’e mbërriti lirinë, por askush nuk mund ta merrte me mend në atë gusht të 1988-s, ose më saktë, në ditën e këputjes së frymës së tij, se liria kish qenë aq pranë. Aq pranë për të tjerët, por jo për të. Duket se çdo fjalë për të tani sikur është një lloj shfajësimi ose plotësimi për humbjen e tij, në radhë të parë për humbjen fizike të parakohshme pas një jete të stërmundimshme, por njëkohësisht edhe për një humbje tjetër: ai s’arriti ta shihte lirinë, atë gjë për të cilën kish sakrifikuar së tepërmi.

Nuk mundi t’i shpëtonte mbytjes, por mundi t’i ikte humnerës mortore të harresës. Me një qetësi dhe krenari gati-gati sublime, mundi të ikte nga libri i të vdekurve të gjithmonshëm.

Në atë sfond mortor të përgatitur për të krejt hareshëm qysh në gjalljen e trazuar të tij, mbas marrjes së frymës, trupi i pajetë i tij nisi të lëkundej ndërmjet tokës e qiellit, ndërsa shpirti i tij filloi të endej hapësirave, të endej si një zog i lirë, sovran dhe i krejtpushtetshëm.

Një shpirt që fluturon e s’lodhet, që endet qiellnajës qyshprej njëzet vjetësh dhe që s’mund të zbresë më kurrsesi prej asaj lartësie.
gazeta onlineAta qe kane akoma ndonje iluzion per figur.

Përse trishtohet sërish Havzi Nela


Nga Azgan Haklaj

20 vjet më parë gjarpri i plagosur komunist në perëndim të diellit të vet arriti të kafshojë për vdekje poetin e lirisë, Havzi Nela. Gjama dhe kukama nën za mbështolli jo vetëm Lumën, por mbarë shpirtin e lirë dhe të dëlirë në trojet dardane. Një hakmarrje mizore e regjimit komunist sikur të ishte hakmarrje serbe për bëmat famëmëdha të Lumës. Nuk është synimi im të shpjegoj dhe as të perifrazoj çka ishte për shqiptarët dhe për më tepër për intelektualët properëndimorë ky regjim shtazarak. Vetë Havzi Nela nuk ishte një viktimë e rëndomtë muhabetesh të pamenduara. Aspak! Ai me ndërgjegje u kthye në dallëndyshe të lirisë. Ai e dinte se konformistët e kanë me limite kohore “lavdinë” dhe më pas i përkasin harresës, ndërsa skifterët e lirisë kishin një vend të përjetshëm në memorien e kombit të vetë. Vdekjen, Havzi Neza e parashikonte jo si një pacifist, por se e njihte mirë regjimin, po aq sa edhe misionin e vetë sa fisnik, intelektual e atdhetar, po aq edhe të shenjtë ndaj dhe shkruan si epilog të jetës së vet fizike: “Thoni: Desh, kërkoi lirinë/ si skifter në fluturim/provoi prangat, t’errtë qelinë/për të mjerët lëshoi kushtrim”.
Pra, Havzi Neza ishte simboli i zgjimit të ndërgjegjes sociale, atdhetare e intelektuale. Ai duke u vrarë ngjalli shpresë, duke “qorruar terrin” hapi dritare për dritë në qelinë e diktaturës.
Si rrallë tek ndonjë disident antikomunist i fushës së letrave e mendimit te Havzi Nela izolimi u shndërrua në miting, poezia u shkrua pa bojë e letër, kushtrimi u dha pa bori, amaneti u daltua në shpirt pa fjalë. Sot pas 20 vitesh Havzi Nela kujtohet me madhështi, por a mjafton kjo për njeriun me shpirt lirie. Është tepër pak. Rëndësi ka amaneti i Havziut. Një amanet që siç thotë populli s’e tret as dheu. Një amanet për brezat që të zhduket përgjithmonë bisha e kuqe. Natyrisht është bërë jo pak, por kjo nuk ja heq trishtimin Havzi Nelës! E si mund të mos trishtohet kur sheh të paintegruar e të pashpërblyer bashkëvuajtësit e vet, ndërkohë që persekutorët enden të lirë, bile bëjnë politikë e biznes, flasin për dosje e kurrë nuk i hapin. E si të mos trishtohet sërish Havziu tek sheh deputet të birin e “Lajës” së këshillit që në kohën e diktaturës, sigurimi i shtetit e pati pajisur me 2 revolverë. A ka trishtim e zhgënjim për shpirtin e tij tek nga qielli vështron pseudonimaxhinjtë që kanë mbushur parlamentin. Ata mbajnë pseudonime me lloj-lloj emra kafshësh e insektesh, sikur të ishin jo në sallë parlamenti, por në ndonjë kopsht zoologjik të Kenias apo të Afrikës së Jugut. Amanetet e Havziut janë amanetet e lirisë dhe nuk mund të cenohen. Ato amanete trishtohen jo aq për dekorata, por për respektin e dinjitetin e cunguar. Dhe kur luan me dinjitetin e shpirtrave të lirisë i shmangesh rrugës për t’i bërë vend vetes në ndonjë cep të historisë. Mos sot, ndonëse me vonesë, nesër amanetet e Havzi Nelës do të zhvishen nga trishtimi. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe. Ato janë mesazhe të shenjta e hyjnore që si vegim e ndjekin një popull. Askush nuk luan dot me të, ani se sot bën emër në biznes a politikë.

JLuTeM BeJeNShaRe!

Bookmark and Share

Search site

WwW.ToPoJaN1.WeBnoDe.CoM Me Ne NuK JeNi VeTeM.. PuNuaR nGa BLeRo.!

Bookmark and Share

| ToPoJaNi | Blero | KuKeSi | Dashuria! | Poezi Per Gurbetin! | PoeZi Te Ndryshme! | Poezi Per Vitet Shkollore! | Xhelozia | PoeZi Per Qytetet e Shqiperis | Alfabeti i Dashuris | Akrepat e Ores | C'far Duan Femrat? | Thenie Dashurie | Poezi Kushtuar 1 Tradhtares! | Poezi Per Nenen | Muzik | Poezi per Greket | Poezi Per Deputetet | Poezi Me T'futme | Havzi Nela